PËRSHTATJA E BUJQËSISË NDAJ NDRYSHIMIT TË KLIMËS




                                                                           REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Ndryshimi i klimës është një ndryshim afatgjatë në shpërndarjen statistikore të strukturës dhe elementëve të motit me kalimin e kohës, që shkon nga dekada në qindra e mijëra vjet. Ndryshimi i klimës përfaqëson një ndryshim nga kushtet mesatare të motit ose një ndryshim në shpërndarjen e ngjarjeve të motit në lidhje me një mesatare, për shembull, më shumë ose më pak ngjarje ekstreme të motit. Ndryshimi i klimës mund të jetë i kufizuar në një rajon të veçantë, ose mund të shtrihet në të gjthë globin.

Termi “Ndryshime klimatike” ndonjëherë përdoret posaçërisht për t’iu referuar ndryshimit të klimës të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor. Konventa Kuadër e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (KKKBNK) përcakton ndryshimin e klimës si një ndryshim që vjen drejpërdrejtë ose indirekt aktivitetit njerëzor, për shkak të të cilit ndryshon përbërja e atmosferës së globit dhe që i shtohet ndryshueshmërisë natyrore klimatike vërejtur gjatë periudhave kohore të krahasueshme. 

Në mënyrë më të përmbledhur, mund të thuhet që ndryshimi i klimës është sinonim i shprehjes “Ngrohje Globale”. Ndryshimet klimatike përfshijnë procese të tilla si: variacione në rrezatimin diellor, devijimet në orbitën e Tokës, aktivitetet tektonike, lëvizjet kontinentale, si dhe ndryshimet në përqendrimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë.

Disa pjesë të sistemit klimatik, siç janë oqeanet dhe akujt në polet e globit, reagojnë më ngadalë ndaj klimës për shkak të masës së tyre të madhe. Prandaj, ndryshimi i klimës mund të marrë një kohë të gjatë (dekada apo shekuj) për t’u shfaqur plotësisht. 

Çfarë është Ngrohja Globale?

Ngrohja globale është rritja e temperaturës mesatare të ajrit në sipërfaqen e tokës dhe të oqeaneve mbi atë normale (ose mbi mesataren historike të tyre). Faktori kryesor të cilit i atribohet rritja e temperaturës është përqendrimi në rritje i gazeve serrë, të cilat rezultojnë nga veprimtaria njerëzore si djegia e karburanteve fosile dhe shpyllëzimi. Gjithashtu, rritja e përqendrimit të grimcave të vogla në atmosferë vlerësohet se ka ndikimin e saj në ngrohjen globale në dy drejtime:

  • Pengimi i rrezeve të diellit për të arritur në sipërfaqen e tokës.
  • Pengimi i rrezeve infra të kuqe (nxehtësinë) të tokës për tu larguar nga atmosfera e saj.

Çfarë është Efekti Serë?

Efekti serë shkaktohet prej përthithjes që i bëhet rrezatimit infra të kuq prej gazeve që gjenden në atmosferën e tokës. Në këtë mënyrë, shtresa e atmosferës nuk lejon që rrezatimi infra i kuq të largohet nga toka, por mbetet në atmosferën e saj, duke luajtur të njëjtin rol si shtresat izoluese të serave. Gazet kryesore që shkaktojnë efektin serë janë:

  • Avujt e ujit, të cilat shkaktojnë rreth 36-70% të efektit serë. 
  • Dioksidi i karbonit (CO2) i cili shkakton 9-26% të efektit serë.
  • Metani (CH4) i cili shkakton 4-9% të efektit serë.
  • Ozoni (O3) i cili shkakton 3-7% të efektit serë.

Edhe retë ndikojnë në bilancin e rrezatimit, por duke qenë se ato janë të përbëra nga uji apo grimca akulli, kanë efekte të ndryshme në këtë bilanc ndryshe nga avujt e ujit. Përqendrimet e CO2 dhe CH4 janë rritur me 36% dhe 148% përkatësisht që nga viti 1750. Këto nivele janë më të lartat në vitet e fundit dhe për të cilën të dhënat janë nxjerrë nga kampionet e akullit në pole. Djegia e karburanteve fosile nga veprimtaria njrëzore ka prodhuar rreth ¾ e rritjes së gazit karbonik. Shumica e pjesës tjetër të rritjes së përqendrimit të gazeve serë është për shkak të ndryshimit të përdorimit të tokës (për shkak të aktiviteteve industriale, minerare, bujqësore e blegtorale) dhe veçanërisht shpyllëzimit.

Pse bujqësia është faktor që kontribuon në ndryshimin e klimës?

Bujqësia përbën një sektor i cili ka ndikimin e vet të rëndësishëm në ndryshimin e klimës për shkak të aktiviteteve të saj. Bujqësia përbën burimin kryesor për çlirimin në atmosferë të dy gazeve: oksidit të azotit N2O dhe metanit CH4.

Oksidi i azotit lëshohet në atmosferë prej tokave që kultivohen, kryesisht përmes transformimit mikrobiologjik të plehrave azotike që përdoren në tokë. Praktikat e dobëta të menaxhimit të tokës dhe përdorimit të plehut organik kontribuojnë gjithashtu në shkarkimet e gazeve serë nga bujqësia. Çlirimet e azotit përfaqësojnë më shumë se gjysmën e emetimeve totale të bujqësisë.

Metani formohet prej procesit fermentues të tretjes së ushqimit nga blegtoria (kryesisht lopët dhe delet).

Sëbashku, emetimet e CH4 dhe N2O vijnë edhe prej procesit të ruajtjes dhe shpërndarjes në tokë të plehut organik.

Në Shqipëri, bujqësia renditet direkt mbas sistemit energjitik (44%) përsa i përket çlirimit në atmosferë të gazeve serë duke prodhuar 27.12% të tyre. Ndërkohë që ndryshimi i Përdorimit të Tokës dhe Pyjet çlirojnë 21.6% të këtyre gazeve.

Aktualisht, konsensusi shkencor mbi ndryshimin e klimës është se veprimtaria njerëzore është shkaku më i mundshëm i rritjes së shpejtë të temperaturave mesatare globale gjatë dekadave të fundit. Si rrjedhojë, debati është zhvendosur kryesisht mbi mënyrat për të ulur më tej ndikimin e njeriut dhe për të gjetur mënyra për t’iu përshtatur ndryshimit që ka ndodhur tashmë.

Përshtatja (adaptimi) ndaj ndryshimeve të klimës

Në mënyrë që efektet e ndryshimeve klimatike të jenë sa më të pakët mbi njeriun dhe aktivitetet e tij sociale dhe ekonomike, është e nevojshme që ai të marrë masa e të përshtatet sa më shumë të jetë e mundur ndaj këtyre ndryshimeve.

Përshtatjet ndaj ndryshimeve klimatike mund të jenë të planifikuara për shembull, nga qeveria vendore (bashkia Qarku etj) ose ajo qendrore. Aftësia për t’u përshtatur është e lidhur ngushtë me zhvillimin social dhe ekonomik të vendit. Edhe shtetet më të zhvilluara e me kapacitet të lartë për tu përshtatur janë ende të pambrojtura ndaj ndryshimeve të klimës. Përshtatja e planifikuar është një bazë e mirë me anë të së cilës mund të garantohet një zhvillim i qëndrueshëm. Gjithsesi, faktori kryesor që dikton mungesën e masave përshtatëse është kostoja financiare e tyre, më shumë sesa vullneti politik.

Bujqësia dhe ndryshimet klimatike

Analiza e të dhënave të klimës në vitet e kaluara ka shërbyer e vazhdon të përdoret për të llogaritur se si dhe sa do të ndryshojë klima në të ardhmen. Në kuadër të projektit “Identifikimi dhe zbatimi i masave adaptuese në zonën e deltave të lumenjve Drin e Mat” është bërë një modelim sesi do të jetë klima deri në vitin 2100 për zonën. Është bërë e mundur gjithashtu që të kemi ide të qartë sesi do jetë klima në këtë zonë, duke marrë në konsideratë tre skenarët:

  • Ndryshim i pakët i klimës.
  • Ndryshim mesatar i klimës.
  • Ndryshim i theksuar i klimës.

Kjo zonë është specifikuar edhe në Komunikimin e Dytë Kombëtar të Republikës së Shqipërisë ndaj KKKBNK (Nëntor 2009) në të cilën thuhet:

“Vlerësimi i rrugëve të prekshmërisë dhe të përshtatjes përqendrohet në kaskadën e Lumit Drin (zona nga Kukësi deri tek Fusha e Lezhës). Kjo zonë është shumë e rëndësishme për prodhimin e energjisë elektrike meqë më shumë se 95% e saj prodhohet me anë të burimeve hidrike në këtë kaskadë”.

Në dekadat e fundit, zona ndërmjet grykëderdhjeve të lumenjve Drin e Mat është ndikuar në mënyrë të dukshme prej elementëve të veçantë të klimës, apo të disa prej tyre njëkohësisht. Përmbytjet nga prurjet ujore të lumenjve kanë bërë që në vite të veçanta kulturat bujqësore të rimbillen nga e para, duke dyfishuar në këtë mënyrë koston e prodhimit të drithërave, perimeve e frutave. Në disa raste, edhe dallgët detare në formën e baticave kanë përmbytur dhe dëmtuar tokën bujqësore, shtëpitë etj, në zonat afër bregut të detit si në Fushë Kuqe, Patok, Tale etj.  Edhe në blegtori humbjet kanë qenë të konsiderueshme.

Në të ardhmen, pritet që frekuenca e ngjarjeve ekstreme të klimës të jetë më e shpeshtë. Kështu, pritet që të ketë më shumë ditë me intensitet të lartë reshjesh, valë të nxehti, ngrica jashtë sezonit normal të tyre, luhatje të menjëhershme të temperaturave e për rrjedhojë shkaktohet shok termik (temperatura të larta dhe ulje e menjëhershme e tyre ose e kundërta) që shkakton stres të madh tek bima.

 

Cila është tendenca e klimës për të ndryshuar?

Ashtu si për të gjithë planetin, edhe zona që përfshihet në deltat e lumenjve Drin e Mat do të ndikohet nga ndryshimet klimatike. Por, zona të veçanta do të ndikohen në mënyra e forma të ndryshme. 

Të gjithë skenarët e mundshëm tregojnë se klima do të ndryshojë në vitet e ardhshme në të gjithë elementët e saj.

Ndikimi i klimës mbi bujqësinë është i drejpërdrejtë dhe përbën një faktor shumë kufizues lidhur me rendimentin e kulturave bujqësore.

Efektet e drejtpërdrejta që shkaktohen prej ndryshimeve klimatike dhe të cilët ndikojnë në rendimentin bujqësor janë:

  • Reshjet
  • Temperaturat
  • Rrezatimi diellor 

Faktorë të tillë si furtunat, valët e të nxehtit, thatësira, përmbytjet etj, janë faktorë pengues dhe përcaktues në lidhje me prodhimin bujqësor në përgjithësi.

Ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, kur ngjarjet ekstreme të klimës kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në uljen e prodhimit bujqësor, edhe në vitet e ardhshme pritet që frekuenca e ngjarjeve ekstreme të jetë më e shpeshtë dhe të ketë ndikim edhe më negativ se më parë.

Pavarësisht se modelimet e klimës dhe skenarët përkatës janë bërë veçanërisht për zonën ndërmjet deltave të lumenjve Drin e Mat, zona të tjera të ngjashme me të nga pikëpamja e vendosjes gjeografike dhe kushteve klimatike do të ndikohen thuajse njëlloj.

Për tre elementët kryesorë të analizuar (temperatura, reshjet dhe rritja e nivelit të detit) janë marrë në konsideratë gjithsej tre skenarë të pritshëm: minimal, mesatar dhe maksimal. Skenari minimal, presupozon ndryshimin më të pakët që pritet të ndodhë për elementin që analizohet (p.sh temperatura); 

Skenari mesatar, presupozon se ndryshimi i pritshëm do të jetë mesatar dhe skenari maksimal presupozon se ndryshimi i pritshëm do të jetë i konsiderueshëm.

Në mënyrë të përmbledhur, tendenca e elementëve të klimës të cilët gjenerojnë situata të pafavorshme për bujqësinë jepen në grafikët e mëposhtëm:

Temperaturat

Parashikohet një rritje e ndjeshme e tyre në 90 vitet e ardhshme. Pas llogaritjeve paraprake të bëra rezulton se skenari më optimist është ai i rritjes me deri në 2.3°Cvitin 2100, ai mesatar me 3.2°C, ndërsa ai maksimal me 5°C.

Në grafikun e mëposhtëm tregohet rritja e pritshme e temperaturave për periudhën 2010-2100, bazuar në tre skenarët përkatës (minimal, mesatar dhe maksimal).

Ndryshimi i temperaturës në vite

Ajo që është e rëndësishme të theksohet këtu është fakti se:

  • Pritet një rritje e temperaturave ekstreme (të larta) me mbi 35°C.
  • Rritje të numrit të ditëve me temperatura të larta (valët e të nxehtit), duke vënë në vështirësi kulturat bujqësore të mbjella.
  • Do të ketë rritje të konsiderueshme të avullimit të ujit nga toka dhe bimët (evapotranspiracion) për shkak të temperaturave më të larta që priten. Kjo do të thotë më shumë kërkesa për ujë, ndërkohë që reshjet dhe burimet ujore në përgjithësi do të jenë më të pakët.
  • Ulje të numrit të ditëve me temperatura minimale <-5°C, apo reduktim i ditëve me ngrica në përgjithësi. Kjo konsiderohet krejt e pafavorshme për bujqësinë, duke qenë se nxit kështu shfaqjen e më shumë sëmundjeve dhe dëmtuesve.

Reshjet

Ndryshimet në sasinë vjetore të reshjeve

Lidhur me reshjet, bazuar në skenarët mesatarë pritet që:

Reduktimi më i madh i tyre do të jetë në periudhën e verës (Qershor-Gusht) me-54% në vitin 2100. Ndërkohë që reduktim i konsiderueshëm i tyre parashikohet të jetë edhe në periudhën Mars-Maj me -15% në vitin 2100.

Këto dy periudha janë më të rëndësishme për bujqësinë pasi përkojnë me mbjelljen, rritjen dhe zhvillimin e kulturave bujqësore.

Një ndër rekomandimet kryesore lidhur me këtë periudhë mbetet menaxhimi i burimeve ujore, dhe përdorimi me efikasitet i ujit. Përmirësimi i rezervave ujore në zonë (p.sh rezervuarve) dhe mirëmbajtja e këtyre veprave përbën një tjetër detyrë të përhershme të fermerëve dhe organeve që mbulojnë këtë proces.

Rritja e nivelit të detit

Skenari mesatar tregon se rritja e nivelit të detit deri në vitin 2100 pritet të jetë me 49 cm. Rritja e nivelit të detit ndikon në shtimin e rasteve të përmbytjeve, dëmtimin dhe kripëzimin e tokave bujqësore, dëmtimin e pronave në përgjithësi, si dhe aktivitet më intensiv të erozionit të bregdetit.

Ndryshimi në sezonin e vegjetacionit të bimëve

Për shkak të rritjes së përgjithshme të temperaturave është e pritshme që edhe periudha e vegjetacionit të bimëve të zhvendoset në kohë. Kjo do të thotë që të njëjtën kulturë mund ta mbjellim disa ditë më herët nga sa e kemi mbjellë një apo disa vite më parë.

Në tabelën e mëposhtme, jepet sesi pritet të ndryshojë sezoni i rritjes në përgjithësi (ditë në total), por edhe periudha e fillimit dhe mbarimit të tij.

Sezoni i rritjesShtrirja kohore
Viti 19902030205020802100
Data e fillimit7314/III689/III667/III623/III601/III
Data e përfundimit3362/XII3406/XII3439/XII34713/XII34915/XII
Periudha e sezonit të rritjes (ditë në total)

 

263

 

272

 

277

 

285

 

289

Nga kjo tabelë kuptojmë që nëse një kulturë bujqësore është mbjellë më 14 mars në vitin 1990, e njëjta kulturë do të mbillet me datën 8 mars në vitin 2030, apo me datën 1 mars në vitin 2100. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për periudhën e përfundimit të sezonit të rritjes. Nëse ky sezon përfundon me datën 2 dhjetor për një kulturë bujqësore në vitin 1990, për të njëjtën kulturë, data e mbarimit të vegjetacionit do të jetë më 15 dhjetor në vitin 2100. Në total, një kulturë bujqësore që ka pasur periudhën e rritjes së saj me 263 ditë në vitin 1990, në vitin 2100 kjo periudhë rritjeje për të do të jetë 289 ditë

Në aspektin teorik, rritja e periudhës së vegjetacionit përbën një element favorizues që na sjell ndryshimi i klimës. Por, në praktikë vetëm disa kultura mund ta përfitojnë atë, pasi periudha e vegjetacionit për pjesën më të madhe të perimeve, drithërave dhe frutave është më e vogël. Jonxha është një ndër bimët e pakta që mund të rezultojë si përfituese e zgjatjes së periudhës së vegjetacionit. Edhe në këtë rast, kjo vlen vetëm nëse jonxha do të ujitet, pasi si për jonxhën, ashtu dhe për të gjithë kulturat e tjera, uji përbën faktorin kryesor kufizues të rritjes dhe rendimentit të kërkuar.

Si ndikon klima në burimet ujore?

Rritja e temperaturave dhe ulja e sasisë së reshjeve do të rrisë në mënyrë të padiskutueshme kërkesat për ujë. Megjithëse në total parashikohet një reduktim me 30-50% të rezervave ujore në vend deri në vitin 2100, të paktën deri në vitin 2050 nuk konstatohet se do të ketë ndonjë mangësi në plotësimin e kërkesave dhe nevojat e sektorit të bujqësisë për ujë. 

Situatë e pritshme e pakësimit të burimeve ujore dhe rritjes së kërkesës për ujë, ka filluar të shfaqet aktualisht në disa zona të vendit, dhe veçanërisht në zona në afërsi të bregdetit. Megjithëse zona bregdetare është relativisht e pasur me burime ujore nëntokësore, hapja e pakontrolluar e puseve ka bërë që një pjesë e këtyre ujërave të ndoten nga ujërat e kripura të detit. Kjo vjen si pasojë e shfrytëzimit mbi kapacitet që ju bëhet këtyre ujërave. Një mbishfrytëzim i burimeve ujore nëntokësore, detyrimisht do mundësojë futjen e ujërave të kripura në tokë, për rrjedhojë ndotjen dhe dëmtimin e tokave bujqësore duke dashur një periudhë rehabilitimi 3-5 vjet që toka të rikthehet në gjendje normale.

Ndotja e burimeve ujore

Përveç faktit që burimet ujore do të jenë më të pakta, një tjetër problem shqetësues që mund të rëndojë më shumë situatën është ndotja e burimeve ujore. Shkarkimet e ujërave të zeza, mbetjeve urbane, mbetjeve teknologjike në kanalet kulluese. Kjo bën të mundur rikthimin tek ne të gjitha ato mbetje, përmes ujit për ujitjen e kulturave bujqësore apo ujin e pijshëm. Në të njëjtën mënyrë qarkullojnë edhe pesticidet apo herbicidet që përdoren në kulturat bujqësore.

Rekomandimi më i mirë është aplikimi i bujqësisë organike.

Si do të ndikojë ndryshimi i klimës në bujqësi dhe blegtori?

Ndër elementët kryesorë të klimës që ndikojnë në bujqësi janë; thatësira e cila është pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve në periudhën e vegjetacionit, valët e të nxehtit, përmbytjet, rritja e nivelit të detit, rritja e frekuencës së ngjarjeve ekstreme, rritja e sëmundjeve dhe dëmtuesve në bujqësi e blegtori. Secili prej këtyre elementëve, ndikon si në rendimentin e kulturave bujqësore, ashtu dhe në cilësinë e tyre.

Thatësira-shkaktuar prej temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve, jo vetëm që ul rendimentin, por mund të jetë një faktor i cili çon deri në tharjen e plotë të të mbjellave.

Valët e të nxehtit- disa ditë të vazhdueshme me temperaturë të lartë, gjithashtu arrijnë të dëmtojnë seriozisht prodhimet bujqësore. Temperaturat e larta vrasin polenin duke bërë kështu që të mos realizohet procesi i pjalmimit, dhe për pasojë do të kemi frutifikim të pjesshëm dhe aspak cilësor.

Përmbytjet, mund të dyfishojnë koston e prodhimit, së paku nëse ato ndodhin në periudhën e mbjelljes. Nëse përmbytja ndodh në fazat e më të vonshme të zhvillimit të bimës, prodhimi i kulturës bujqësore të përmbytur konsiderohet i dështuar për atë vit.

Rritja e nivelit të detit, është një tjetër faktor që do të ndikojë negativisht në prodhimin bujqësor dhe blegtoral.

Rritje e frekuencës së ngjarjeve ekstreme, Një nga mënyrat sesi ndryshimet e klimës shfaqen, është luhatja e menjëhershme e temperaturave, sasisë dhe intensitetit të reshjeve, shfaqja e dukurive të rralla atmosferike jashtë sezonit normal të tyre etj. Të gjitha këto fenomene, mund të shkaktojnë ç'rregullime në zhvillimin e bimëve, deri në vyshkjen dhe tharjen e plotë të tyre.

Rritje e sëmundjeve dhe dëmtuesve- është e pritshme që për shkak të ndryshimit të klimës të ketë edhe shtim të sëmundjeve dhe dëmtuesve në bujqësi. Lagështia e tepërt në tokë favorizon disa sëmundje kërpudhore, që dëmtojnë prodhimet, ndërkohë që thatësira në verë sjell një numër të madh insektesh e dëmtuesish të ndryshëm,  duke ndikuar në prishje të cilësisë së prodhimit, deri në dëmtim të plotë të tij. 

Erozionipërbën një ndër problemet më serioze që aktualisht ka bujqësia. Shqipëria renditet si një ndër vendet me shkallën më të lartë të erozionit në Europë. Humbjet e tokës në Kallmet–Lezhë është 32.9 ton/vit. Përveç humbjes voluminoze të tokës nga erozioni, problem kryesor është humbja e pjesës më pjellore të tokës.

Shkaqet kryesore të nivelit të lartë të erozionit në vend janë:

  • Zhveshja e sipërfaqes së tokës nga bimësia- shkaktuar prej prerjes së pyjeve, zjarreve apo shpyllëzimeve të bëra në fondin pyjor në vite.
  • Pjerrësia e tokës- duke përjashtuar ultësirën perendimore të vendit, pjesa tjetër e territorit shtrihet në shpate relativisht të pjerrëta.
  • Praktikat e punimit të tokës-punimi paralel me pjerrësinë dhe jo pingul me të ndihmon në shtimin e normës së erozionit. Gjithashtu, përdorimi i kulturave të drithrave dhe perimeve kërkon disa punime dhe prashitje në një sezon, gjë që ndihmon rritjen e shkallës së erozionit.
  • Përdorimi i plehërave kimike-përdorimi i pakontrolluar i plehërave kimike, sjell shpëlarje të tokës duke e bërë atë më pak pjellore në vite e njëkohësisht më të ekspozuar ndaj erozionit.
  • Mënyra e ujitjes- duke qenëse në pjesën më të madhe të vendit aplikohet ujitja me përmbytje, kjo bën që të shumëfishojë shkallën e shpëlarjes së grimcave të tokës dhe t’i transportojë ato drejt detit, si dhe të shpejtojë shpëlarjen e tokës nga elementët ushqyes.
  • Marrja e inerteve – kjo dukuri shkakton prishjen e një ekuilibri hidrik që lumi ka vendosur në shekuj. Gjithashtu, rrit mundësinë e shfaqjes së rrezikut prej përmbytjes së lumit. Prishja e ekuilibrit të lumit intensifikon agresivitetin në brigjet e tij duke rrezikuar të gërryejë tokat bujqësore që janë në afërsi. Gërryerja e shtratit të lumit ul nivelin e rrjedhjes së ujit, për pasojë në të gjithë zonën që shtrihet në të dy anët e lumit, bie niveli i ujërave nëntokësore. Pasoja negative për bujqësinë në këtë rast është fakti që bimët rritin kërkesat për ujë.  Aktualisht, e gjithë ultësira perëndimore e vendit po vuan nga këto pasoja.

Si mund të përshtatemi ndaj ndryshimeve klimatike?

Ka një sërë masash e mënyrash për t’ju përshtatur ndryshimeve të klimës, të cilat bëjnë të mundur që efektet negative të jenë sa më të pakta siç janë:

  • Ndryshimi i praktikave menaxhuese në fermë (mbjellje më e hershme në kohë, ose mbarështimi i llojeve të blegtorisë që është më shumë rezistente ndaj nxehtësisë).
  • Ndryshime në përdorimin e bimëve bujqësore (lloje që përshtaten më shumë ndaj motit të nxehtë).
  • Masa përshtatëse të karakterit teknologjik (përmirësim racor në blegtori, përmirësim i llojeve apo varieteteve të kulturave bujqësore, përmirësimin në aplikimin e ujitjes, përmirësim i punimit dhe mbjelljes së tokës, përmirësim i praktikave të përdorimit të plehrave, praktika të menaxhimit të sëmundjeve dhe dëmtuesve etj). 

Data e publikimit: 23/03/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: