Pasioni për bletarinë i fermerit Vero Zika




E thërrasin doktor në Tepelenë! 

Kjo është historia e suksesit e bletërristësit të zonës, z. Vero Zika, nga fshati Guzë i Tepelenës. Me profesion shef kuzhine, pas viteve 1990, z. Vero filloi të merrej me tregti. Ishte viti 2001 kur z. Vero vendosi të merrej me bletari. Fillimisht bleu 150 koshere blete në Janine. 

“Kjo zonë është e njohur për bletari. Në vitet e para, arrita të merrja deri në 70 kg mjaltë/koshere, ishte një periudhë e artë”. 

Për shkak të cilësisë së lartë të mjaltit, z. Vero ka siguruar një treg të dëshiruar. “Kam prodhim cilësor dhe organik. Konsumatorit i ofroj një produkt të sigurt dhe me vlera kurative”, krenohet z. Vero. “Apikultura është pasioni im. Kujdesem vetë personalisht për të mjekuar mizën, me mjete rrethanore dhe tradicionale. Nuk përdor asnjë pesticid për kurimin e sëmundjeve, realizoj vetë trajtime tradicionale organike. Për të arritur këtu, kam realizuar eksperimente pa fund. Prandaj më pëlqen ABA Online, se është inovative dhe ka informacion të përditësuar për aktivitetin tim”. 

Kur e pyesim përse njihet ndryshe si mjek në gjithë Tepelenën, tregon se pasioni i tij për bletën e ka bërë të hulumtojë, lexojë pa fund dhe të eksperimentojë më bletën dhe vetitë kurative të nën-produkteve të bletës. 

“Përveç mjaltit tregtoj edhe propolis, polenë dhe qumësht blete. Në këto 20 vjet që merrem me rritjen e bletës kam mësuar shumë, kam përfituar edhe më shumë dhe ende jam i apasionuar si ditën e parë”, shprehet z. Vero gjithë entuziazëm. “Gjithashtu prodhoj në kushte artizanale edhe mjekime të ndryshme organike me nënproduktet e bletës, prandaj njihem edhe si doktor në zonë. Mjalti që unë tregtoj, si dhe nënproduktet që i përpunoj në mënyrë artizanale kanë veti kurative të pashoqe”.

Me rritjen e kërkesës së tregut, rriten edhe nevojat për zgjerimin e aktivitetit. Z. Vero ka përzgjedhur FED invest si partnerin më të besuar në rrugëtimin drejt formalizimit të biznesit. Ishte FED invest prezantimi i parë i z. Vero me ABA Online. Shfetimi i vazhdueshëm i gjithë informacionit gjithashtu mundësoi që z. Vero të njihej me Skemën e Mbështetjes me Inpute. Aplikimi në kohë dhe dokumentacioni i rregullt mundësuan përfitimin nga skema. “Skema më mundësoi blerjen e telave për korniza për kosheret, shishe qumështi dhe shishe propolisi. Faleminderit dhe mirënjohje për ndihmën”. 

Data e publikimit: 23/12/2022


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: