Teknologjia e kultivimit të Asparagut në fushë të hapur




                                                                           REGJISTROHUNI KËTU për të shfletuar rubrikat e tjera të platformës.

Asparagu është bimë perimore me origjinë të diskutueshme, Azia Perëndimore dhe Europa Juglindore, mjaft e vjetër në pellgun e Mesdheut. Në vendin tonë akoma njihet pak dhe kultivohet kryesisht në Divjakë, Lushnjë, Durrës, Kavajë etj.

Përse asparagu meriton të përhapet më shumë në vendin tonë? Kjo sepse: 

  • Kjo bimë ka gjetur një përdorim të gjithanshëm në kuzhinë.
  • Asparagu është i pasur me antioksidantë dhe veti anti-inflamatore që ndihmojnë në mbajtjen e trupit të shëndetshëm.
  • Është një burim i madh i acidit folik, fibrave, kaliumit dhe vitaminave A, C dhe B6.
  • Vitamina K tek asparagu mund të ndihmojë në rritjen e dendësisë së mineralit të kockave dhe të zvogëlojë normat e thyerjes për të përmirësuar shëndetin e kockave.
  • Asparagu punon si diuretik natyral.
  • Asparagu përmban glutathione, një përbërës që ndihmon në shkatërrimin e kancerogjenëve. 

Cilat janë kërkesat e asparagut për klimën, tokën dhe parabimë?
Asparagu ka kërkesa klimatike e toksore më të larta në krahasim me qeporet e tjera (presh, qepë e hudhër).

  • Sythat nëntokësorë aktivizohen, kur temperatura e tokës në thellësi 15 cm, arrin 10-12°
  • Temperaturat më të përshtatshme për mbirjen, rritjen dhe zhvillimin e bimëve janë 15°-30°C

Kujtesë për kultivuesit e asparagut!
Asparagu është bimë që pëlqen ndriçimin e plotë dhe lagështinë e lartë ajrore, gjatë periudhës së prodhimit të materialit mbjellës (këmbëzave).

Gjatë periudhës së prodhimit të kërcejve për treg, në kultivarët me kërcej “të bardhë” mungesa e dritës për etiolim të tyre është e domosdoshme, kurse për kultivarët me kërcej,”të gjelbër”, kërkohet ndriçim i plotë.

Në cilat toka shkon më mirë asparagu?
Asparagu ka kërkesa të mëdha për tokën. Më të përshtatshme për kultivimin e tij dhe marrjen e prodhimeve të larta e cilësore, në veçanti për kultivarët për prodhim të kërcejve të bardhë, janë tokat ranore dhe ato ranoargjilore, të thella, të freskëta të pasura me lëndë organike dhe me aftësi të lartë ujëmbajtëse. 
Reaksioni më i përshtatshëm i tokës është kur vlera e pH arrin 6.5-7.5. 

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë asparagut? 
Duke qenë bimë që e zë tokën për shumë vjet (12-15) vjet në fushë të hapur nuk bëhet fjalë për qarkullime bujqësore të zakonshme. Parabimë të mira për asparagun janë të lashtat dhe gramoret e tjera, bimët bishtajore, etj.

KUJDES! Duhet të mënjanohet mbjellja pas patates, panxharit perimor, karrotës, rrepës, etj. 

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e asparagut? 
Për përgatitjen e tokës për mbjelljen e asparagut duhet të kemi parasysh këto specifika: 

Punimi i tokës
Përgatitja e një shtrati të përshtatshëm për mbjelljen e asparagut ka shumë rëndësi. Në vjeshtë ose në dimër, bëhet punimi i parë i tokës me thellësi mbi 40 cm. Për një përgatitje të mirë të tokës kryhen dhe punime të tjera përgatitore si diskime e frezime, derisa toka të vijë në gjendje të mirë për mbjellje. Sipërfaqja e tokës ndahet në lehe (skolina) me gjerësi sa shumëfishi i numrit të rreshtave (zakonisht 2x12=24 m), në formë kurrizi të butë (me pjerrësi të dyanëshme rreth 1.5%).

Kanalet kulluese dhe vaditëse
Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse. Vijat kulluese hapen të thella dhe mbahen të pastruara e në funksion të plotë për të larguar ujrat e tepërta që mund të vijnë nga reshjet. 

Plehërimi i tokës
Në praktikën e plehërimit të asparagut para punimit të parë shpërndahen 60-100 kv/dyn pleh organik i kalbur mirë. Gjatë përgatitjes së tokës për mbjellje, shpërndahen edhe të gjithë llojet e plehërave kimike të planifikuara dhe bëhen trajtime për luftimin e barërave të këqija. Pastaj në drejtim të gjatësisë së leheve hapen brazdat, në të cilat bëhet mbjellja e “fidanëve”. Brazdat hapen me kultivator brazdëhapës, 120-150 cm larg njëra tjetrës (që përbën dhe largësinë midis rreshtave) dhe thellësi 20-30 cm.

Sasia dhe raporti i plehërimit 
Si përcaktohet sasia e plehërave që duhen përdorur tek asparagu? 
Asparagu nuk dallohet për kërkesa të larta ndaj lëndëve ushqyese. Plehërimi këshillohet të bëhet në përputhje me karakteristikat bimore të kultivarëve, tipin e tokës, mënyrën e kultivimit, dendësinë e mbjelljes, etj.

Për të prodhuarr 100 kg “kërcej tulorë”, bimët tërheqin nga toka rreth 0.35 kg azot(N), 0.15 kg fosfor (P2O5), 0.25 kg potas (K2O) dhe 0.06 kg kalcium (CaO). Në plehërimin bazë krahas plehrave organike hidhen dhe 5-6 kg/dyn azot, 3.5-5.5 kg/dyn fosfor dhe 11.5-12.5 kg/dyn potas.

Plehërimet plotësuese kryhen sipas normave të përshkruara në pasqyrën si mëposhtë:

Normat e plehërimit plotësues për asparagun:

NrVitiLëndë vepruese për dyn.
1I7-8 kg/dyn N
2II14-15/dyn N +6-7 kg/dyn P2O5+18.5-19.5 kg/dyn K2O
3III-VIII17-18kg/dynN+7-8 kg/dyn P2O5+ 20.5-21.5 kg/dyn K2O

 

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Varietetet, mbjellja dhe kultivimi i asparagut. 

Data e publikimit: 25/04/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale: