Teknologjia e kultivimit të Angjinarit në fushë të hapur




Angjinariështë bimë perimore me origjinë nga vendet e pellgut të Mesdheut dhe ato të Lindjes së Mesme. Është ndër bimët perimore më të vjetra të përdorura nga grekët dhe romakët e vjetër. Në vendin tonë akoma njihet e përdoret pak, kryesisht në zonën e ngrohtë.

Përse angjinari meriton të ketë më shumë përhapje në vendin tonë? Kjo sepse: 

  • Kjo bimë ka gjetur një përdorim gjithëvjetor në kuzhinën familjare dhe lokalet publike.
  • Gjethet, lulet, kërcenjtë dhe rrënja e argjinares janë të gjitha të ngrënshme. Argjinarja e egër mund të skuqet, zihet, piqet, apo të përdoret në supa.
  • Angjinari ka përmbajtje të konsiderueshme të vitaminës B12, 1, 5, 3, 6, vitaminë C, kalium, mangan, bakër, hekur, selenium, magnez dhe zink.
  • Angjinari gjithashtu rregullon nivelet e lëngjeve në organizëm, ndihmon sportistët për stërvitjen, parandalon pagjumësinë, ul ankthin, dhimbjet e kokës, forcon imunitetin, ndihmon me rritjen dhe zhvillimin, përmirëson tretjen dhe parandalon problemet me veshkat.
  • Në mjekësinë popullore, gjethet e angjinarit, janë përdorur për sëmundjet kronike të mushkërisë, hepatitin, fshikëzën e urinës, verdhëzën, diabetin dhe arteriosklerozën. Angjinari i vjen në ndihmë sistemit tretës, është efikas kundër reumatizmës dhe largon gurët nga organet e brendshme. Gjethet përdoren për të përmirësuar shëndetin e mëlçisë dhe fshikëzës së urinës, sekretimin e lëngjeve të tretjes dhe uljen e kolesterolit në gjak.
  • Angjinari është një burim jo shtazor i enzimës për prodhimin e djathit.

Cilat janë kërkesat e angjinarit për klimën, tokën dhe parabimën ?
Angjinari është bimë e përshtatur për kultivim në zonat me klimë të butë. Kultivohet me sukses në zona klimatike me mot të freskët dhe në zonat e ngrohta rezultate të mira në prodhim jep gjatë periudhës së freskët të vitit.

Reziston më mirë se bimët e tjera perimore ngricave, që nuk vazhdojnë për periudhë të gjatë.

  • Bima ul tempin e rritjes e të zhvillimit dhe ka pasoja në prodhim kur temperatura ulet nën 10°C, si dhe kur kalon mbi 25-30°C
  • Temperatura 25°C, në periudhën e zhvillimit të kërcellit lulor dhe të diferencimit të “kokave”, shkaktojnë çrregullim të tyre, dukuri që njihet me emrin “atrofizim” i “kokave”.
  • Temperatura e përshtatshme e rritjes dhe e zhvillimit është 14-18°
  • Bimët pësojnë dëmtime nga të ftohtit në kushte të temperaturës rreth 0°C. Pjesa mbitokësore dëmtohet në temperaturën -4°dhe ajo nëntoksore nën -7°C. 

Këto janë temperatura kufizuese, të cilat duhen të merren në konsideratë për të përcaktuar zonën e përhapjes, sepse duke qenë bimë shumëvjeçare kërkohet që investimet të jenë të studiuara.

Kujtesë për kultivuesit e angjinarit!
Kërkesat ujore janë të mëdha, prandaj dhe është e nevojshme të sigurohen kushte të mira lagështie gjatë gjithë fazave të rritjes dhe zhvillimit të bimëve të angjinarit. Nga ana tjetër angjinari nuk pranon teprime të lagështisë në tokë pasi sistemi rrënjor zhvillohet i dobët dhe i cekët, bimët nuk rriten, japin prodhim të ulët dhe me cilësi të ulët si dhe rrallohen bimët.

Në cilat toka shkon më mirë angjinari?
Angjinari mund të kultivohet në të gjitha tipet e tokave, nga ranoret deri në ato argjilore, mjafton të kenë kullim të mirë dhe strukturë të njëjtë. Më të pëlqyeshme edhe për prodhim të hershëm, janë tokat rano-argjilore, të thella, të freskëta, të kulluara mirë, të pasura me lëndë organike, me pH 6-8. Tokat e kripura nuk janë të përshtatshme.

Cilët nga parabimët i përshtaten më shumë angjinarit? 
Duke qenë bimë shumëvjeçare nuk ka kërkesa të mëdha për parabimën. Mjafton që ajo ta lerë tokën të pasur në lëndë organike, të pastër nga barërat e këqija të tilla si grami dhe të painfektuar me dëmtues të tokës.

Si duhet të përgatitet toka për mbjelljen e angjinarit? 
Për përgatitjen e tokës për mbjelljen e angjinarit duhet të kemi parasysh këto specifika: 

Punimi i tokës
Punimi i thellë i tokës, 40-60 cm, është mirë të kryhet gjatë verës. Pas tij kryhen punime përgatitore si diskime e frezime deri sa toka të vijë në gjendje të mirë për mbjellje. Gjatë punimeve përgatitore bëhen trajtime për luftimin e barërave të këqija. Pas kësaj, në drejtim të rreshtave hapen brazda, me kultivatorë brazdëhapës, të cilat ndihmojnë në mbjelljen me cilësi dhe në ujitje. 

Kanalet kulluese dhe vaditëse
Pas punimit dhe frezimit të sipërfaqes së tokës, është e domosdoshme të përgatitet i gjithë sistemi i kanaleve kulluese dhe vaditëse.

Plehërimi i tokës
Angjinari, në krahasim me perimet e tjera, ka nevojë për sasi të mëdha të lëndëve ushqyese, në veçanti për azot dhe potas, por edhe për kalcium

Sasia dhe raporti i plehërimit 

Si përcaktohet sasia e plehërave që duhen përdorur tek angjinari? 
Për të prodhuar 15 kv/dynym prodhim të freskët, bimët e angjinarit tërheqin nga toka rreth 28.6 kg azot(N), 4.4 kg fosfor (P2O5), 38.7 kg potas (K2O), 17.6 kg kalcium(Ca) dhe 15.3 kg natrium (Na).

Klikoni këtu nëse dëshironi të dini më shumë mbi Varietetet, mbjellja dhe kultivimi i angjinarit. 

Data e publikimit: 07/05/2023


Lini një koment


Shpërndaj në rrjetet sociale:

VARIETETET, MBJELLJA DHE KULTIVIMI I ANGJINARIT

Cila është struktura varietore e rekomanduar?

Lexo më shumë