Biosiguria në fermë nënkupton masat që ndërmeren nga fermat për të krijuar një ambjent dhe operacione të sigurta që kontrollojnë praninë dhe aktivitetin e rrezikshëm me burim biologjik, kimik dhe fizik.
Rreziqet e mundshme biologjike në një fermë përfshijnë rreziqet e shkaktuara nga viruset, bakteriet, parazitët, kërpudhat apo agjentë të tjerë biologjikë.
Rreziqet kimike përfshijnë grupin e rreziqeve të shkaktuara nga përdorimi i herbicideve, pesticideve, shtesave ushqimore, toksinave të ndryshme në fermë që krijohen nga aktiviteti i kafshëve siç mund të jenë ato përmes jashtëqitjes, mbetjet e medikamenteve të përdorura, përdorimi i ambalazheve të pa përshtatëshme (si p.sh. kova boje, kova pesticidesh) për mjelje apo ushqim për kafshët.
Rreziqet fizike përfshin rreziqet që lidhen me paisje apo mjete që shërbejnë për mbarështimin e kafshëve në fermë sikurse dhe ato për shërbimet mbështetëse, siç janë stallat, sistemi i ventilimit, i freskimit me ujë, mjetet mekanike, mjetet e kontrollit të thundrave, sistemi i mjeljes, sistemet e magazinimit të ushqimeve, medikamenteve, etj.
Bëni kujdes, çdo gjë që futet në fermën tuaj përbën një potencial për prishjen e ekuilibrave të biosigurisë që ju mund të keni vendosur në fermë.
Ja disa shembuj të burimeve potenciale për rreziqe në fermën tuaj:
Blerja e kafshëve të pa kontrolluara
Lëvizja e kafshëve brenda fermës nga një grup prodhues në tjetrin
Kafshët që ngordhin dhe mënyra e trajtimit të tyre
Kontaminimi i ushqimeve gjatë përpunimit, magazinimit
Kontaminimi i ujit
Plehu organik i pa manipuluar dhe kontaminimi i tij
Mjetet dhe paisjet të kontaminuara si traktorë, karroca, sfurqe, paisjet veterinare, etj.
Kontaminimi i mjediseve nga kafshët e egra si dhe ato shtëpiake
Brejtësit, insektet, këpushat
Personeli me veshje dhe protokolle sjelljeje të papërshtatshme
Vizitorët në fermë me protokolle veshje dhe sjellje të papërshtatshme
PËR NJË AMBJENT DHE OPERACIONE TË SIGURTA NË FERMË
Çfarë duhet të mbani parasysh për të krijuar ambjentin e duhur dhe operacionet e sigurta në fermën tuaj?
Krijimi i një ambjenti të sigurtë në fermën tuaj përfshin një gamë të gjërë masash që ju duhet të ndërmerrni bazuar mbi protokolle të para përgatitura me kujdes që përfshijnë kafshët, mjetet, personelin dhe kualifikimet e tij, vizitorët, mjedisin, etj.
Çfarë duhet të konsideroni më specifikisht: Bëni kujdes të inspektoni kafshët sipas një protokolli të rregullt me qëllim zbulimin dhe parandalimin e sëmundjeve. Siguroni që personeli të jetë i kualifikuar dhe të trajnohet në mënyrë të vazhdueshme mbi zbulimin dhe parandalimin e sëmundjeve. Mbani shënime të rregullta mbi historikun e sëmundjeve, trajtimin e tyre, efikasitetin e trajtimeve (medikamenteve), si dhe zhvilloni një strategji efiçente për kontrollin e sëmundjeve.
Siguroni izolimin e kafshëve të fermës në rastin e shpërthimit të epidemive.
Trajtoni karkasën e kafshëve të ngordhura sipas një protokolli me qëllim mos përhapjen e mëtejshme të sëmundjeve. Përzgjidhni vend groposjen me qëllim që të mos kontaminohet mjedisi. Realizoni groposjen sa më shpejt të jetë e mundur duke kufizuar përhapjen e sëmundjeve. Përdorni breza mbrojtës ose vegjetacion të përshtatshëm për të mos lejuar rrjedhjen e ndotjeve të karkasës.
Përgatisni një plan për evadimin e mbetjeve të kontaminuara si shiringat, materiali i shtratit të kafshëve, etj.
Lëvizja e kafshëve është një proces që kërkon vëmendjen tuaj për shmangien e hyrjes apo shpërndarjes së sëmundjeve dhe dëmtuesve në fermë. Bëni kujdes gjatë blerjes së kafshëve nga tregu i brendshëm si dhe përmes importit. Blini nga burime të besueshme. Kërkoni nga tregtuesit çertifikatat shëndetësore të kafshëve, informacion zyrtar mbi trajtimet dhe statusin shëndetësor të tyre. Në rastin e futjes së kafshëve në fermë sigurohuni që ti mbani ato të veçuara dhe në vëzhgim të përditshëm për vlerësimin e prekjes nga sëmundjet për së paku 30 ditë. Sigurohuni që ato kalojnë fazën e karantinimit përpara se ti bashkoni me pjesën tjetër të tufës në fermën tuaj duke i menaxhuar, vaksinuar, monitoruar apo testuar gjatë kësaj periudhe. Zbatoni një protokoll të unifikuar për parandalimin dhe kurimin e sëmundjeve për të gjithë kafshët e fermës suaj. Kontrolloni ndikimin e insekteve, zogjve, shpendëve, brejtësve, duke kufizuar kontaktin e tyre të drejtpërdrejtë me tufën, ushqimet e magazinuara, paisjet dhe makineritë e fermës.
Siguroni pastërtinë e ushqimeve blegtorale përgjatë të gjithë zinxhirit të tyre që nga prodhimi e deri në konsum. Mbajini ato larg burimeve të mundshme të kontaminimit, jashtëqitjeve të tufës, lagështisë, dhe medikamenteve. Blini ushqime blegtorale vetëm nga burime të sigurta dhe të çertifikuara duke ulur kështu mundësinë e kontaminimit.
Menaxhoni ujin në mënyrë të tillë që të ulen rreziqet e kontaminimeve të mundshme. Larg jashtëqitjeve, larg burimeve të kontaminimit. Siguroni ujë të bollshëm, të pastër, të analizuar. Enët e ofrimit të ujit (vaskat, pirëset e ujit, etj.) duhet të pastrohen në mënyrë frekuente, pasi ato shpesh bëhen burim i kontaminimeve.
Bëni kujdes me menaxhimin e jashtëqitjeve të kafshëve – grumbullimin, manipulimin dhe përdorimin e tyre për plehërim organik, pasi kështu do të ulni rrezikun e kontaminimit ose përhapjes së sëmundjeve, dëmtuesve si dhe barërave të këqija. Mbroni fermën nga plehu organik që mund të bartet nga ferma të tjera përmes mjeteve dhe paisjeve, përmes shpëlarjes dhe rrjedhjes së tyre nga fermat fqinje. Mos përdorni në fermën tuaj plehra organike nga burime jashtë ferme pa u siguruar që ato nuk përmbajnë patogjenë.
Mbani parasysh se faktori njeri është shumë i rëndësishëm për të garantuar biosigurinë në fermë. Vendosni instruksione me shkrim lidhur me rregullat që duhen ndjekur si nga punonjësit dhe nga vizitorët. Ju rekomandojmë të mundësoni minimizimin e lëvizjes së njerëzve në fermë duke i kufizuar ato vetëm në zona të nevojshme.
Kontrolloni lëvizjen e mjeteve përreth fermës dhe brenda në fermë. Siguroni dezinfektimin e mjeteve në pikën hyrëse të fermës. Mbani mjetet dhe paisjet sa më pastër me qëllim që të eliminoni rreziqet nga faktorët biologjikë (si bakterie, viruse, parazitë, kërpudha) kimikë ose fizikë. Përcaktoni dhe vendosni sinjalistikat e vendqëndrimit të mjeteve që shërbejnë për furnizim nga kontraktorët si ata të ushqimit, shërbimit veterinar, pastrimit të thundrave, grumbulluesit e qumështit, mjetet e transportit të punonjësve, etj. Siguroni pastrimin e mjeteve dhe paisjeve veçanërisht kur ato shërbejnë në zona me rrezik të lartë kontaminimi. Minimizoni marrjen ose dhënien e paisjeve me fermat e tjera dhe nëse kjo ndodh siguroni pastrimin e tyre para dhe pas përdorimit.
Mbështesni përdorimin e veshjeve të punës dhe atyre mbrojtëse si për punonjësit ashtu edhe për vizitorët. Siguroni këpucë një-përdorimshe ose krijoni mjedise të përshtatshme për larjen e këpucëve.