Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është duke punuar për një ligj të ri për vreshtarinë, si dhe për ndërtimin e Kadastrës së Vreshtave. Lajmin e dha ministri Bledi Çuçi teksa ishte në Mirditë ku vizitoi një nga kantinat më të mëdha të prodhimit të verës në vend, që ka gjithashtu edhe rreth 60 Ha vreshta.
“Të gjitha këto investime të përbashkëta të sektorit privat me mbështetjen e qeverisë po japin frytet e veta. Sot në kemi gati 11 mijë Ha vreshta në Shqipëri. Po dixhitalizojmë tërësisht Kadastrën e Vreshtave dhe po bëjmë një ligj të ri për vreshtarinë. Këto investime kanë bërë të mundur që prodhimi i verës dhe vreshtaria të mos jetë një gjë shumë ekskluzive, por të jetë një gjë që të na identifikojë ashtu siç ne identifikohemi me varietetet autoktonte të rrushit shqiptar që njihen edhe ndërkombëtarisht”, tha ministri Çuçi.
Ligji i ri i vreshtarisë është duke u përshtatur sipas legjislacionit të Bashkimit Europian, si dhe synon krijimin e një baze ligjore për kultivimin e vreshtave për prodhim vere, regjistrin e vreshtarisë, prodhimin, etiketimin, kontrollin e produkteve të verës në Shqipëri, sipas kërkesave dhe standardeve të tregut ndërkombëtar. Sa i përket Kadastrës së Vreshtave, deri më tani ka përfunduar regjistrimi për 28 556 njësi vreshti me një sipërfaqe prej 7 230 Ha dhe 45 fabrika të prodhimit të verës në shkallë vendi. Prodhimi vjetor i vreshtarisë në Shqipëri, përfshi edhe pjergullat, është rreth 190 mijë ton rrush.
Ndërkohë që ushtrojnë aktivitet 61 kantina të prodhimit të verës e rakisë. Vitet e fundit ka filluar edhe kultivimi i rrushit të tavolinës në serra, që siguron hershmëri të prodhimit dhe rendimente të larta. Përmes Skemës Kombëtare të këtij viti Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të rimbursojë TVSH-në për fermerët që do të rinovojnë plastmasin e serrave. Gjatë viteve të fundit vetëm nga skemat kombëtare kanë përfituar mbi 200 aplikantë me vlerë të financuar afërsisht mbi 49 milionë lekë.
Shpërndaj në rrjetet sociale: