Qumështi është një nga ushqimet më me vlerë të përdorura historikisht nga njeriu. Ai përbën ushqimin e vetëm dhe më të rëndësishëm për të vegjëlit e gjitarëve në periudhën e parë të jetës së tyre duke siguruar rritjen, energjinë dhe imunitetin e të vegjëlve.
Sigurimi i daljes së qumështit nga gjiri i kafshëve prodhuese realizohet me mjeljen, që është procesi i zbrazjes së gjirit përmes nxitjes së hormonit oksitocinë. Prekja e gjirit (masazhimi në rastin e mjeljes me dorë, ose efekti i kupave të mjeljes në rastin e mjeljes me makinë), mundëson aktivizimin e hormonit oksitocinë i cili zbret në gjak rreth një minutë pasi fillon përgatitja, dhe ndodh aktivizimi i oksitocinës duke sjellë zbritjen e qumështit në cisternën e thithës.
Ndonëse teknologjia ka përparuar ndjeshëm, sot në mbarë botën në shumë ferma të vogla blegtorale mjelja realizohet ende me dorë sikurse është kryer prej mijëra vitesh.
Çfarë duhet mbajtur parasysh në mjeljen me dorë? Ndonëse mjelja e një lope konsiderohet si një proces i thjeshtë, në fakt kërkon ndjekjen e disa hapave të rëndësishëm e thelbësorë, si:
Mjelja është një proces instiktiv për kafshën, ndaj koha e kryerjes dhe rutina e saj përbëjnë elementë të rëndësishëm. Lopët i përgjigjen një rutine të caktuar të përditëshme gjatë laktacionit, rutinë që duhet ta ndiqni edhe ju si zotërues të fermës. Mileni lopën dy ose tre herë në ditë (në varësi të prodhimit të saj) në të njëjtën kohë, pasi ajo pret procesin e mjeljes në mënyrë instiktive. Gjithashtu, pjesë e veprimeve tuaja rutinë është qëndrimi juaj gjithnjë në të njëjtën anë kur realizoni mjeljen, kjo me qëllim që lopa të kuptojë se çfarë veprimi po kryeni.
Përdorni mënyra tërheqëse për ta bërë kafshën ta dëshirojë procesin e mjeljes të tillë si ofrimi i një sasie drithërash apo bari që do ta bënte lopën bashkëpunuese gjatë mjeljes. Vend i saj i mjeljes duhet të jetë i pastër dhe i qetë, një vend ku ajo do të dëshirojë të qëndrojë, duke e bërë procesin e mjeljes më të lehtë edhe për ju.
Pastërtia është shumë e rëndësishme. Siguroni se çdo mjet që do të përdoret gjatë mjeljes, si dhe lopa, mjedisi, duart tuaja, etj. të jenë sa më të pastra. Mbajtja e pastërtisë është mënyra më e mirë dhe e sigurtë për parandalimin e sëmundjeve, veçanërisht mastitit, si dhe mjeljen e një qumështi të pa kontaminuar (të pa ndotur).
Rradha e veprimeve është e rëndësishme. Bëni një parapërgatitje të gjirit për mjelje duke i zhytur thithat në gota me solucion pastrimi e dezinfektimi ose duke i pastruar ato me pece të pastra e të lagura. Kjo do të mundësojë sigurimin e një qumështi të pastër gjatë mjeljes.
Largoni nga procesi currilat e para të qumështit duke i shtrydhur ato në një enë të veçantë dhe siguruar kështu mos ndotjen e qumështit që do të milet për përdorim. Grumbullimi më vete i currilave të para ju mundëson të vëzhgoni me imtësi edhe gjendjen e qumështit.
Filloni mjeljen në thithat e përparme duke shtypur butë thithën në pjesën e sipërme me gishtin e madh dhe gishtin tregues. Ngadalë zhvendosuni poshtë duke shtuar nga një gisht të rradhës derisa të gjithë gishtat e dorës suaj të kalojnë mbi thithë. Kjo lëvizje do ta detyrojë qumështin të depozitohet në enë (kovën e mjeljes). Veprimin përsëriteni me dorën tjetër. Më tej ndiqni të njëjtën rutinë duke alternuar duart. Përsëriteni këtë veprim derisa rrjedha e qumështit të pakësohet ndjeshëm dhe gjiri të ndihet i butë. Pas mjeljes së thithave të përparme, vazhdoni me thithat e pasme, duke përsëritur të njëjtat veprime deri në boshatisjen e thithave nga qumështi.
Pasi keni siguruar boshatisjen e të gjithë thithave, bëni dezinfektimin pas mjeljes, duke mundësuar mos depërtimin e bakterieve në kanalin e thithës i cili qëndron ende i hapur për rreth 10 minuta pas mjeljes.
Mbani parasysh se mjelja e një lopë me duar kërkon rreth 8 -10 minuta në varësi kjo nga kapaciteti prodhues i lopës, shpejtësia e rrjedhjes së qumështit dhe faza e laktacionit. Sa më shumë qumësht prodhohet, aq më e madhe koha e mjeljes. Kështu një person mund të mjelë 4-5 lopë në orë.
Çfarë duhet mbajtur parasysh në mjeljen e mekanizuar? Pothuajse të gjithë fermat e mëdha blegtorale të gjedhit sot në mbarë botën përdorin mjeljen e mekanizuar e cila në varësi të madhësisë së tufës mund të realizohet përmes (i) makinës së thjeshtë të mjeljes për një lopë; (ii) makinës mjelëse për dy krerë; (iii) sistemit të mjeljes kurriz peshku me disa poste mjelje në varësi të numrit të krerëve; (iv) sistemit të mjeljes me rrotullim (rotary) ku njëherësh mund të milet një numër i konsiderueshëm lopësh nga mbi 30 e deri në 120 krerë njëherësh në varësi të madhësisë së tufës. Parimet e përgjithëshme të mjeljes së mekanizuar janë sikurse edhe në rastin e mjeljes me dorë.
Çfarë duhet të mbani parasysh në mjeljen e mekanizuar?
Kontrolloni makinën para se ta përdorni atë. Kontrolloni si pastërtinë ashtu edhe gjendjen e pjesëve të saj.
Siguroni pastrimin e saj në mënyrë të vazhdueshme, pasi qumështi i papërpunuar ngjitet në pjesë të ndryshme të makinës duke u bërë kështu mjedis i përshtatshëm për depozitimin e papastërtive që shkaktojnë prishjen e qumështit. Pastrimi bëhet në mënyrë të përditëshme ose pas çdo përdorimi.
Siguroni mirëmbajtjen e pjesëve të makinës së paku një herë në muaj duke bërë të mundur që pjesët të vajisen mirë, si dhe të mundësohen riparimet e duhura të pjesëve në kohë.
Kushtojini kujdes të veçantëdezinfektimit të rregullt të tubave sidomos pjesës së brendshme të tyre, rezervuarit dhe gotave të thithjes. Gotat mbajini të mbuluara ose vendosini në qese për ti ruajtur nga ndotja.
Siguroni lidhjen e mirë të të gjithë pjesëve me trupin e makinës. Siguroni që të gjithë tubat e përcjelljes së qumështit janë të lidhur siç duhet, pasi në të kundërt nuk do të mund të krijohet vakumi i duhur për mjelje. Gjithashtu siguroni mbylljen e mirë të kapakut.
Ndiqni të njëjtat hapa për pastrimin e gjirit dhe dezinfekstimin e tij para mjeljes siç është përshkruar në rastin e mjeljes me dorë.
Lëvizni njësinë mjelëse pranë lopës në drejtim të pjesës së brinjëve. Siguroni vendosjen e duhur të gotave duke bërë kujdes të eliminoni përdredhjen e tubave gjatë mjeljes. Pasi hapni vakumin kontrolloni funksionin e klikimeve të pulsatorit.
Vendosni gotat e qumështit në thitha një e nga një. Filloni nga thithat e pasme nga e djathta në të majtë (nëse ju jeni të pozicionuar në anën e majtë të lopës) pastaj vazhdoni në të njëjtën mënyrë me thithat e përparme. Vendosini gotat mjelëse sa më shpejt dhe sa më lehtësisht të jetë e mundur me qëllim që ato të mos e humbasin aftësinë thithëse. Orientojini gotat mjelëse me duar drejt thithave duke bërë që procesi të jetë sa më i shpejtë dhe i sigurtë.
Nëse procesi vazhdon normalisht, thjesht prisni që makina të kryejë funksionin e saj të mjeljes për rreth 4-7 minuta për çdo lopë.
Bëni kujdes tëshmangni mbi-mjeljenpasi është e dëmshme.
Me zbrazjen e gjirit hiqni njësitë e mjeljes. Zbrazjen mund ta dalloni me sy, ose përmes veprimit të sistemit të sensorëve të cilët ndjejnë rrjedhjen e reduktuar të qumështit dhe realizojnë largimin automatik të njësisë mjelëse. Mbyllni me dorë (në rastin e një makine të thjeshë mjelëse për një krerë), ose lejoni mbylljen automatike të vakumit (në rastin e sistemeve mjelëse të automatizuara) me përfundimin e mjeljes, gjë që ju mundëson heqjen e njësisë mjelëse. Fikni makinën, hiqni kapakun nga bidoni i mjeljes dhe siguroni kalimin e qumështit në një enë të pastër për ruajtje apo përdorim të mëvonshëm.
Pastroni pjesët e jashtme të makinës mjelëse duke përdorur detergjentët dhe dezinfektuesit e përshtatshëm. Më pas vazhdoni me pastrimin e pjesëve të brendshme. Ju rekomandojmë të përdorni ujë të ftohtë të përzier me disa mililitra detergjent. Zhysni në tretësirë gotat thithëse duke vendosur përmbys pjesën e hapur të tyre. Ndizni makinën e cila do të thithë solucionin përmes gotave thithëse të zhytura deri sa tretësira të boshatiset. Më tej, veprimin përsëriteni me ujë të pastër deri sa të siguroni eliminimin e çdo mbetjeje kimike në makinën mjelëse. Lëreni makinën mjelëse të thahet. Për këtë qëllim vendoseni atë në një vend të thatë dhe të ngrohtë.
Klikoni këtu në se dëshironi të dini më shumë lidhur me Cilësinë e Qumështit